Latter day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] Merr Përsipër të Japë 20 Milionë Dollarë Amerikanë në Mbështetje të Përgjigjes Globale të UNICEF it ndaj virusit COVID 19

Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], krahu humanitar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, njoftoi sot për një dhurim prej 20 milionë dollarësh amerikanë për të përkrahur punën globale të UNICEF‑it me Përshpejtuesin për Të Drejtën e Përdorimit të Mjeteve ndaj COVID‑19 (ACT) dhe krahut për vaksina të Përshpejtuesit të ACT‑it që quhet Ndërmjetësimi për COVAX‑in.

Kjo shumë plotëson dhurimin e Kishës prej 3 milionë dollarësh amerikanë në vitin 2020 për të lehtësuar përgjigjen e ngutshme të UNICEF‑it ndaj COVID‑19, duke siguruar shërbime për furnizimin me ujë, kanalizimet dhe higjienën.

covax
Specialisti i Shëndetit i UNICEF it, doktor Feliks Osei-Sarpongu, pozon për një fotografi në mbërritjen e dërgesës së parë të vaksinave për COVID 19 të shpërndara nga Ndërmjetësimi për COVAX in në Aeroportin Ndërkombëtar Kotoka në Akra të Ganës, më 24 shkurt 2021.
medication
Një pjesëtar i personelit të UNICEF it tregon kutitë që përmbajnë dërgesën e parë të vaksinave për COVID 19 të shpërndara nga Ndërmjetësimi për COVAX in në Akra të Ganës, më 24 shkurt 2021.

Dhurimi i ri do të japë ndihmesë për përpjekjet historike të UNICEF‑it në udhëheqjen për gjetjen dhe furnizimin me 2 miliardë vaksina për COVID-19 të rreth 196 vendeve dhe ekonomive pjesëmarrëse në COVAX, deri në fund të vitit 2021. Synohet që 2 miliardë dozat fillestare të mbrojnë punonjësit e vijës së parë të kujdesit shëndetësor dhe ata socialë, si edhe njerëzit në rrezik të lartë dhe të cenueshëm.

Dhurimi do të përkrahë gjithashtu UNICEF‑in teksa punon me vendet për të forcuar zinxhirët e ruajtjes në të ftohtë dhe furnizimit, për të trajnuar punonjësit shëndetësorë, trajtuar keqinformimet dhe për të ndërtuar mirëbesim te vaksinat dhe në sistemet shëndetësore që i shpërndajnë ato.

“COVID‑19 është kriza e parë, e vërtetë botërore që kemi parë në jetën tonë. Pavarësisht se ku jetojmë, pandemia ndikon te çdo person, përfshirë fëmijët. Nuk ka pasur kurrë një nevojë më të ngutshme që të punojmë së bashku. Ky dhurim për rolin tonë të rëndësishëm në COVAX, nga Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme], është dhurimi më i madh, i njëhershëm nga një partner i sektorit privat që kemi marrë deri tani”, tha Henrieta For, drejtore ekzekutive e UNICEF‑it. “Ne shpresojmë që bujaria e saj të frymëzojë organizata, biznese dhe individë të tjerë për të na ndihmuar që të sigurojmë të drejtë përdorimi të paanshme për vaksinat për COVID‑19.”

Nëpërmjet Ndërmjetësimit për COVAX‑in – së bashku me organizatat Gavi: Aleanca për Vaksinën, OBSH dhe CEPI – UNICEF‑i po vë në përdorim përvojën e tij të pashoqe për sigurimin e shpërndarjen e vaksinave dhe pikat e forta dhe rrezen e veprimit të tij në përfshirjen në komunitet, për të krijuar kërkesë dhe pranim për vaksinat. Përgjigjja synon ta përshpejtojë fundin e pandemisë dhe ta minimizojë ndërprerjen e rrjedhës normale të jetës së fëmijëve duke mbrojtur punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe social nëpër botë, përfshirë mësuesit dhe përkujdesësit parësorë.

“Ne shprehim mirënjohje për ekipin dhe organizatën e UNICEF‑it. Ata kanë bërë kaq shumë për t’u kujdesur për fëmijët dhe familjet e tyre dhe për t’i ndihmuar që të plotësojnë nevojat bazë dhe ta përmbushin potencialin e tyre”, tha Peshkopi Zherald Kosé, Peshkopi Kryesues i Kishës. “Teksa vaksinohen më shumë persona në moshë madhore në komunitetet e cenueshme, shërbimet vendimtare shëndetësore, ushqyese dhe arsimore për fëmijët në nevojë do të jenë në gjendje të rifillojnë. Ne mbajmë shpresë në zemrat tona, jo vetëm që ta kapërcejmë pandeminë, por dhe që të shohim një të ardhme më të ndritur për të gjithë fëmijët dhe familjet e tyre.”

Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] dhe UNICEF – SHBA hynë në bashkëpunim në vitin 2013, duke punuar së bashku për të përkrahur fëmijët dhe familjet e tyre në fushat e imunizimit, përgjigjes ndaj rasteve të ngutshme, si dhe nevojave të refugjatëve për arsimim e zhvillim.

vaccination
Latter day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] ka përkrahur nismat globale për imunizim të udhëhequra nga UNICEF i dhe OBSH ja. Këtu, një grua bën vaksinën në Çad.

Rreth UNICEF‑it

UNICEF‑i punon në disa nga vendet më të vështira të botës për të ndihmuar fëmijët në rrethanat më të pafavorshme në botë. Nëpër 190 vende dhe territore, ai punon për çdo fëmijë, kudo, që të ndërtojë një botë më të mirë për cilindo. Për më shumë informacion rreth UNICEF‑it dhe punës së tij për fëmijët, vizitoni faqen www.unicef.org. Për më shumë informacion rreth COVID‑19, vizitoni faqen www.unicef.org/coronavirus.

Rreth Ndërmjetësimit për COVAX‑in

COVAX‑i është shtylla për vaksinat e Përshpejtuesit për Të Drejtë Përdorimi të Mjeteve ndaj COVID‑19 (ACT), një bashkëpunim novator global për të përshpejtuar zhvillimin, prodhimin dhe qasjen e paanshme ndaj testeve, trajtimeve dhe vaksinave për COVID‑19. COVAX‑i bashkëudhëhiqet nga organizatat GAVI, Koalicioni për Risitë në Përgatitjen ndaj Epidemive (CEPI) dhe OBSH. Qëllimi i tij është të përshpejtojë zhvillimin dhe fabrikimin e vaksinave për COVID‑19 dhe të garantojë të drejtë përdorimi të ndershme e të paanshme për çdo vend në botë. UNICEF‑i, në bashkëpunim me PAHO Revolving Fund, po udhëheq përpjekjet për të siguruar dhe furnizuar me dozat e vaksinave për COVID‑19 në emër të Ndërmjetësimit për COVAX‑in.

Rreth Latter‑day Saint Charities [Organizatës Bamirëse të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme]

Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] është krahu humanitar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe deri tani ka përkrahur 1050 projekte ndihme ndaj COVID‑19 në 152 vende. Latter‑day Saint Charities [Organizata Bamirëse e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme] u jep përkrahje monetare partnerëve të spikatur globalë për imunizimin që të sigurojnë dhe shpërndajnë vaksina, të mbikëqyrin sëmundjet, të reagojnë në raste shpërthimesh sëmundjesh, të trajnojnë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe të zhvillojnë programin e eliminimit dhe çrrënjosjes. Rezultatet përfshijnë më shumë fëmijë të imunizuar dhe më pak jetë të humbura nga fruthi, rubeola, tetanosi te nënat dhe të porsalindurit, poliomieliti, diarreja, pneumonia dhe ethet e verdha.