Bruksel, Belgjikë

Forcimi i Familjeve Përmes Kufijve: Një Ditë Dialogu dhe Vlerësimi në Bruksel

Kremtimi i 30‑Vjetorit të Dokumentit: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”

Në Ditën Botërore të Prindërve, Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme pohon sërish angazhimin e saj për forcimin e familjeve në mbarë botën. Në një ngjarje të kohëve të fundit, të mbajtur në Bruksel më 13 maj, Zyra e Kishës për Çështjet e Bashkimit Europian dhe Çështjet Ndërkombëtare, mikpriti Konferencën Europiane të Politikave Familjare dhe Çmimin Europian “Vlerat Familjare”. Mbledhja bëri së bashku udhëheqës dhe organizata të ndryshme të bashkuara në përpjekjet e tyre për të nxitur mirëqenien familjare anembanë Europës.

Atë ditë, politikëbërësit, akademikët, gazetarët, udhëheqësit fetarë dhe avokatët u mblodhën nga e gjithë Europa dhe Amerika e Veriut për t’u angazhuar në diskutime domethënëse rreth familjes dhe për të shprehur vlerësimin për udhëheqjen e jashtëzakonshme në forcimin e familjes si njësia bazë e shoqërisë.

Ngjarjet janë pjesë e nismës “Forcimi i Familjeve”, një nismë në bashkëpunim me Institutin “Sadhërlend”, një grup studiuesish shkencorë me bazë në Jutë. Mbledhja e këtij viti shënoi gjithashtu 30‑vjetorin e dokumentit: “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, një deklaratë doktrinore e lëshuar nga Presidenca e Parë dhe Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, që pohon rolin qendror të familjes në planin e Perëndisë.

Dita filloi me pesë sesione dinamike si pjesë të Konferencës Europiane për Politikat Familjare, duke ofruar studime shkencore, përvojë me politikat dhe pikëpamje aktuale mbi sfidat dhe mundësitë me të cilat përballen sot familjet. Antonela Sberna, Nënkryetare e Parlamentit Europian, përgjegjëse për Nenin 17 mbi Dialogun me kishat dhe organizatat laike, hapi ngjarjen. Në mesazhin e saj me material filmik, ajo bëri thirrje për një “Marrëveshje mbi Familjen Europiane” dhe i nxiti politikëbërësit ta vendosin familjen në qendër të së ardhmes së Europës, duke theksuar rolin e saj jetik në kohezionin social dhe jetën qytetare. Ajo tha se “Familja nuk është një ide teorike, as nuk duhet parë kurrë si e tillë, por një realitet i vërtetë e i jetuar”.

Sesioni i parë shqyrtoi temën e strukturës familjare dhe mirëqenies së fëmijëve. Dr. Vinçenco Basi, president i FAFCE‑së, shpjegoi se historikisht “familja paraqiti qytetërimin te njerëzimi” dhe se martesa ishte besëlidhja e parë që i vendosi interesat e një personi tjetër mbi interesat vetjake. Profesoresha Xhenet Eriksoni, bashkëpunëtore studimore në fushën e familjes në Institutin “Uitlli” të UBJ-së, theksoi rëndësinë e familjes me dy prindër, duke e quajtur atë “faktori ndarës midis klasave”. Ajo tha se studimet shkencore tregojnë se fëmijët në këto mjedise janë vërtet të privilegjuar. Mateo Ricoli, profesor i Politikave Ekonomike në Universitetin “LUMSA” në Romë, shtoi: “Nuk është qëllimi si ta bëjmë më të përballueshme jetën me fëmijë, por që familjet të jenë më të vlerësuara”, duke sugjeruar se vendosja e vlerës së familjeve në qendër është po aq e rëndësishme sa stimujt financiarë.

Sesioni i dytë theksoi nevojën për reflektim më të thellë në politikën mbi familjen. Hoze Luis Bazani, i shoqatës COMECE, paraqiti një vështrim në vija të përgjithshme të burimeve katolike në dispozicion të familjeve dhe të të rinjve. Rik Larseni, presidenti dhe drejtori ekzekutiv kryesor i Institutit “Sadhërlend”, tha: “Ne harrojmë se është familja që kontribuon në një shoqëri funksionale”.

Sesioni i tretë solli zëra të rinj nga fusha e studimeve shkencore dhe avokatia. Maja Jesmanoviçi nga Polonia dhe përgjegjëse e projektit të Konfederatës Europiane për Familjet e Mëdha në Spanjë, pohoi se “Të rinjtë dëshirojnë ende të kenë fëmijë – ata e dëshirojnë me zemër, por jo me mendje”, duke nxjerrë në pah se frika dhe pasiguritë luajnë një rol të madh në procesin e vendimmarrjes. Studentja studiuese shkencore e Universitetit “Brigam Jang”, Ema Houlleti, theksoi fuqinë e shembullit: “Ne e vlerësojmë jetën familjare aq shumë sa kemi frikë të hyjmë në të, nëse nuk është e përsosur”. Ajo përmendi se të rinjtë janë përgjithësisht të vëmendshëm ndaj institucioneve dhe kërkojnë vërtetësi dhe besueshmëri në burimet e tyre.

Sesioni i katërt u përqendrua në udhëheqjen legjislative. Senatori i shtetit të Jutës, Tod Uajllëri dhe përfaqësuesja e shtetit të Jutës, Kendis Pieruçi, folën për nisma të përqendruara te familja lidhur me arsimin, politikën tatimore dhe mbrojtjet digjitale për fëmijët. Liza Perkinsi, anëtare e parlamentit danez, dha një reflektim mbi sistemet e politikave familjare: “Ne kemi krijuar një shtet me fokus mirëqenien që është bërë aq i ndërlikuar sa tani konkurron me familjet”. Marko La Marka, anëtar i kabinetit të Dubravka Shujcës, Komisionere e Europës për Mesdheun, nënvizoi vlerën ekonomike të nënave që qëndrojnë në shtëpi: “Ne duhet të rishikojmë mënyrën se me çfarë syri i shohim shifrat e PBB‑së, sepse aty nuk llogaritet puna e tyre”.

Konferenca përfundoi me një sesion plenar që sintetizoi idetë kryesore. Folësit ranë dakord mbi nevojën për një qasje afatgjatë, të drejtuar nga parimet. “Ndoshta jemi shumë të përqendruar te detajet”, – vuri në dukje profesor Ricoli. “Cili është plani ynë i madh?” në kontekstin e vlerave familjare në shoqëri.

Në mbyllje të konferencës, Françesko Di Lilo, drejtor i Zyrës së Çështjeve të Be-së dhe Çështjeve Ndërkombëtare, iu referua Proklamatës mbi Familjen dhe i ftoi “qytetarët e përgjegjshëm dhe zyrtarët e qeverive kudo t’i nxitin ato masa të hartuara për ta ruajtur dhe forcuar familjen si njësinë bazë të shoqërisë”.

Pas konferencës, të ftuarit u mblodhën për programin e darkës së mbrëmjes dhe prezantimin e Çmimit Europian “Vlerat Familjare” për vitin 2025, duke përfshirë një interpretim muzikor nga Aron Mek‑Insi (tenor) dhe Meri Daçeri (piano)

Fituesja e çmimit për vitin 2025 ishte Merete Risageri, ish‑ministrja daneze për Fëmijët dhe Arsimin. Një avokate të gjithë jetën e saj për të drejtat e prindërve dhe lirinë arsimore, ndikimi i Risagerit prek gjerësisht platformat kombëtare dhe europiane. Puna e saj ka formësuar legjislacionin, dialogun publik dhe ligjërimin intelektual.

Gjatë fjalëve të falënderimit, Risageri tregoi historinë e gjyshërve të saj, të cilët ndërtuan një shtëpi dhe një biznes në Danimarkën e pasluftës. Ajo foli për një kulturë familjare të rrënjosur te shërbimi, përulësia dhe gëzimi. “Ata na mësuan se jeta mund t’ju ofrojë një fillim të këndshëm ose të vështirë, por ajo që nxirrni prej saj, është përgjegjësia juaj”, – tha ajo. “Ne nuk jemi sjellë në këtë jetë për të kënaqur shtetin ose një shef në punë. Ne jemi këtu për të nderuar vetë jetën dhe për të përmbushur rolin tonë në të, sa më mirë që të mundemi.”

Megjithëse e befasuar që iu dha vlerësimi, Risageri tha se çmimi pohonte një të vërtetë të heshtur të punës së saj: “Nuk e pashë kurrë veten si dikush që po luftonte për familjen, por kur kthej kokën pas, mund të shoh se kjo është pikërisht ajo gjë që kam bërë”.

Ndërsa mbrëmja u mbyll, të ftuarit shprehën vlerësimin për mundësinë për të reflektuar, për të krijuar lidhje dhe për t’u angazhuar sërish ndaj përgjegjësisë së përbashkët për forcimin e familjeve. Konferenca dhe çmimi pohuan një temë të qartë nga Proklamata mbi Familjen, se familja është qendrore në planin e Krijuesit për fatin e përjetshëm të fëmijëve të Tij.