Falsifikimet e Hofmanit

Mark W. Hofmani ishte një tregtar dokumentesh të rralla dhe falsifikues i aftë që shfrytëzoi interesin publik për historinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe të Amerikës duke shitur dokumente historike autentike, të ndryshuara dhe të falsifikuara në fillim të viteve 1980.

Letter envelope pen

Mark W. Hofmani ishte një tregtar dokumentesh të rralla dhe falsifikues i aftë që shfrytëzoi interesin publik për historinë e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme dhe të Amerikës duke shitur dokumente historike autentike, të ndryshuara dhe të falsifikuara në fillim të viteve 1980. Në vitin 1985, me sa duket i shqetësuar që mashtrimi i tij mund të zbulohej, Hofmani përdori bomba të bëra në shtëpi për të vrarë dy persona, përfshirë njërin prej klientëve të tij.

Shumë nga falsifikimet e Hofmanit u përqendruan te historia e shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Hofmani ishte një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, i cili në fshehtësi kishte ndaluar së besuari në Perëndi. Nga mesi i të 20‑ave, ai kishte filluar të interesohej për veprat historike në lidhje me historinë e Kishës dhe kishte njohuri për dokumentet që përmendeshin në rrëfimet historike, por që nuk ishin gjetur kurrë, të tillë si kopja e karaktereve të Librit të Mormonit që Martin Harrisi i kishte çuar studiuesit klasik Çarls Antonit1. Në vitin 1980, Hofmani pretendoi se kishte gjetur një kopje të këtij transkriptimi të palosur dhe të vendosur mes faqeve të një Bible të Mbretit Xhejms të shekullit të 17‑të. Studiuesit që e vlerësuan dokumentin, besuan se ai ishte autentik bazuar në përputhjen e shkrimit të dorës me shembuj të tjerë të konfirmuar të shkrimit të Jozef Smithit dhe me përshkrimet e karaktereve nga Antoni. Pranimi i këtij falsifikimi nisi karrierën e Hofmanit si tregtar i librave dhe dorëshkrimeve të rralla.

Një larmi teknikash e ndihmuan Hofmanin që t’i bindte studiuesit se falsifikimet e tij ishin të vërteta. Ai i zgjodhi me kujdes projektet duke synuar dokumente që me gjasë kishin ekzistuar dikur, dhe i studioi gjerësisht kontekstet e tyre. Ai vodhi nga arkivat letra dhe materiale të tjera të asaj periudhe, bëri bojën e vet dhe e vjetëroi atë artificialisht dhe rikrijoi me kujdes vula postare për të ndihmuar që falsifikimet e tij të kalonin këqyrjen e kujdesshme të vërtetuesve të dokumenteve. Ai i studioi karakteristikat e veçanta të shkrimit të dorës së autorëve dhe mund ta riprodhonte atë me saktësi befasuese. Kërkimet historike dhe aftësitë e tij letrare i lejuan atij që të hartonte dokumente të cilat pasqyronin modelet e pritura të stilit, tonit dhe përmbajtjes. Ai krijoi histori të besueshme rreth origjinës dhe prejardhjes së dokumenteve, nganjëherë duke krijuar paraprakisht një falsifikim të vogël për ta bërë të besueshëm një falsifikim të mëpasshëm të një profili më të lartë. Ai siguroi dokumente autentike të rralla duke i pranuar ato si pagesa në natyrë dhe më pas i tregtoi si materialet autentike ashtu edhe ato të falsifikuarat. Ndonjëherë ai u bëri ndryshime të vogla dokumenteve ose materialeve autentike, të cilat e shtonin vlerën e tyre. Studiues të shumtë nga fusha të ndryshme vërtetuan pa e ditur falsifikimet e Hofmanit.

Falsifikimet e Hofmanit përfshinin dokumente nga figurat e hershme politike dhe letrare amerikane, duke filluar nga dokumente të rëndomta me nënshkrime të falsifikuara deri te vepra të shkurtra letrare. Hofmani falsifikoi disa dokumente në lidhje me Kishën, përfshirë letrat nga Jozefi Smithi, Lusi Mek Smithi dhe Dejvid Uitmeri, ndër shumë të tjera. Ai prodhoi disa falsifikime të përqendruara tek aspektet provokuese të historisë së Kishës, duke shpresuar që të ndizte polemika. Ai falsifikoi një bekim që Jozef Smithi ia dha gjoja djalit të tij Jozef Smith III, duke e caktuar atë si pasardhës të babait të tij. Ai gjithashtu falsifikoi një letër të vitit 1830 nga Martin Harrisi (e njohur si “letra e salamandrës”), e cila e përshkruante Jozef Smithin si të përfshirë në praktika popullore që ushtronin magji. Me falsifikimet e tij, Hofmani mashtroi jo vetëm udhëheqësit dhe historianët e Kishës, por edhe familjen dhe miqtë e tij, arkivistë e bibliotekarë dhe ekspertë të tjerë. Kisha bleu disa dokumente prej tij dhe falsifikimet e tij u bënë si objekt kërkimesh shkencore ashtu edhe diskutimesh publike.

Hour Glass

Në vitin 1985, Hofmani filloi negociatat për t’i shitur Bibliotekës së Kongresit një dokument të falsifikuar për 1,5 milionë dollarë. Në atë kohë, shpenzimet e Hofmanit për udhëtime, luks, libra të rrallë dhe materiale falsifikuese i tejkaluan të ardhurat e tij të vërteta. Klientë të tjerë kishin filluar të kërkonin sendet për të cilat Hofmani i kishte pranuar pagesat, por që nuk i kishte prodhuar ende. Duke qenë nën trysni nga frika e zbulimit, Hofmani hodhi një pako me një bombë të bërë në shtëpi, gjë e cila vrau koleksionistin Stiven F. Kristensen. Hofmani i kishte premtuar Kristensenit një koleksion dokumentesh nga Apostulli i hershëm e i pakënaqur Uilliam Mek‑Lellini, por nuk arriti t’i prodhonte ato. Për ta drejtuar vëmendjen e hetuesve larg tij dhe drejt veprimtarive të tjera sipërmarrëse të Kristensenit, Hofmani hodhi një bombë të dytë në shtëpinë e J. Geri Shitsit, bashkëpunëtorit në biznes të Kristensenit, e cili vrau bashkëshorten e Geri Shitsit, Kethin. Të nesërmen, pranë Sheshit të Tempullit, një bombë e tretë shpërtheu në makinën e Hofmanit para se ai të ishte në gjendje t’ia hidhte atë një viktime të papërcaktuar. Ai shpërthim shpejt e çoi policinë drejt provave fajësuese që e lidhnin Hofmanin me bombat. Ekspertët ligjorë i ekzaminuan falsifikimet e Hofmanit dhe zbuluan prova se ai e kishte vjetëruar artificialisht bojën. Përfundimisht, ai i rrëfeu vrasjet dhe falsifikimet dhe mori një dënim me 75 vjet burgim pa të drejtë lirimi me kusht, ku gjykatësi rekomandoi që ai të mos lirohej kurrë.

Tragjeditë më të mëdha që lidhen me falsifikimet Hofmanit, janë vdekjet e Kethi Shitsit dhe Stiven Kristensenit. Falsifikimet gjithashtu nxorën sfida për punën e mbledhësve dhe tregtarëve të dorëshkrimeve dhe librave, historianëve dhe arkivistëve. Ndërkohë që hetimi policor e lidhi Hofmanin me falsifikime të shumta, rrjetet e tij të tregtisë e bënë të vështirë gjetjen e shtrirjes dhe vendndodhjes së punimeve të tij. Dymbëdhjetë vjet pas hedhjes së bombave, për shembull, një dokument që besohej nga ekspertët se ishte një poezi e mirëfilltë e Emili Dikinsonit, u lidh me Hofmanin. Hamendësimet e rreme që u frymëzuan nga dokumentet ose citimet e Hofmanit, të cilat përfundimisht çuan drejt provave të tij të trilluara, ende i shtrembërojnë disa përshkrime të historisë së shenjtorëve të ditëve të mëvonshme.

Që nga vitet 1980, Kisha ka botuar gjerësisht [materiale] mbi historinë e saj të hershme, duke ndihmuar për të nxitur një kuptim më të madh për disa prej episodeve të errëta historike që Hofmani i shfrytëzoi në falsifikimet e tij për të hedhur dritë negative mbi Kishën. Historianët dhe arkivistët e Kishës gjithashtu kanë ushtruar vigjilencë të shtuar për të vërtetuar me prova të tjera pretendimet lidhur me prejardhjen e dokumenteve dhe kontekstin historik. Botimi dhe digjitalizimi i shkresave të Jozef Smithit dhe shumë koleksioneve të tjera të dokumenteve të rëndësishme ka ndihmuar në zgjerimin e bazës mbi të cilën të vlerësohen zbulimet e reja.

Burimet e Kishës
Dallin H. Oaks, “Recent Events Involving Church History and Forged Documents”, Ensign, tetor 1987, f. 63.
Church Releases Statement on Mark Hofmann Interviews”, Ensign, tetor 1987, f. 78–79.
Document Dealer Confesses”, Ensign, prill 1987, f. 77.
Fraudulent Documents from Forger Mark Hofmann Noted”, Ensign, tetor 1987, f. 79.

Bibliografia
Richard E. Turley Jr., Victims: The LDS Church and the Mark Hofmann Case (Urbana: University of Illinois, 1992).
Sheri Dew, Go Forward with Faith: The Biography of Gordon B. Hinckley (Salt Lake City: Deseret Book, 1996), f. 425–432.